E dimë: tregu është i tej mbushur me produkte, shërbime dhe risi. Secili në një formë ose një tjetër mundohet ta kthejë vëmendjen kah biznesi i tij. Që nga koha kur të vetmet opsione promovimi ishin radio dhe televizioni e deri tash kur bizneset zgjedhin edhe promovimin përmes figurave publike dhe marketingun online – shumë gjëra kanë ndryshuar. Ne ekspozohemi para qindra formave të promovimit gjatë ditës, me/pa vetëdije dhe gjithashtu me/pa vetëdije marrim vendime të blerjes. Duke i ditur këto fakte, pyetja që vjen është: a është biznesi yt në këtë listë? A ke arritur të krijosh një strategji që, në këtë kohë të stërmbushur me informacione dhe reklama, do e kthente vëmendjen kah biznesi yt?!

Shumë njerëz e keqkuptojnë këtë, duke menduar se vlen vetëm për bizneset që kanë konkurrencë të madhe ose bizneset që ende nuk janë pozicionuar siç duhet në treg. E vërteta është se: edhe bizneset e mëdha e kanë të domosdoshme të “luftojnë” gjatë gjithë kohës për hapësire në mendjen e secilit blerës potencial. Revista FORBES ka dhënë disa këshilla për të mos pasur probleme në këtë drejtim:

1.Krijo përmbajtje origjinale
Në kohën në të cilën po jetojmë, pothuajse secili veprim lidhet me shprehitë që i kemi online dhe bizneset që nuk e integrojnë këtë mënyrë të të menduarit në strategjinë e përgjithshme të marketingut, janë të destinuara të bien. Revista amerikane FORBES e tregon se: lidhja mes klientit dhe brendit fillon nga përmbajtja që ai e krijon online. Gjithashtu, theksohet se: është e rëndësishme të jesh në rrjedha me informacionin që i intereson klientit tënd dhe të krijosh përmbajtje rreth saj. Në këtë mënyrë marketingu përmes përmbajtjes (content marketing) bën që ti të jesh në mendje të klientit gjatë gjithë kohës dhe të jesh i pari në liste kur merr vendimin e blerjës.

2. Njih blerësin

Gjithmonë sipas revistës FORBES, një numër i madh biznesesh e pranojnë se nuk e njohin blerësin aq sa duhet. E vërteta është se: natyra e klientëve edhe mund të ndryshojë, varësisht nga lloji i biznesit dhe natyra e produkteve. Nëse biznesi yt nuk ka shtrirje online, gjasat që nevojat dhe kërkesat e klientëve te ndryshojnë është shume e madhe. Kjo sepse, disa mund të lëvizin nga vendi e disa mund të kalojnë në një fazë të jetës në të cilën nuk kanë nevojë për produktet tua. POR ajo që është shumë e rëndësishme është se: prioritet i padiskutueshëm i biznesit tënd duhet të jetë njohja e profilit të blerësit për të cilin ti punon dhe “ndjekja” e tij hap pas hapi. Kur themi “ndjekja” nënkuptojmë: të kesh informacion se pse nevojat e një segmenti klientësh kanë ndryshuar dhe çka mund të bësh ti për të ju përshtatur atyre ndryshimeve. Ndoshta dikush po e ofron produktin/shërbimin e ngjashëm me çmim më të mirë ose ndoshta kualiteti i prodhimit tënd ka rënë. Këto dhe qindra informata tjera duhet t’i mbledhësh dhe t’i përpunosh ashtu që të bësh më të mirën.

3. Përfshihu në komunitet
Çfarë organizimesh po ndodhin në qytetin/shtetin ku ti vepron dhe çka mund të bësh që të përfshihesh në to? Cilat janë ngjarjet që janë të rëndësishme për komunitetin të cilit ti dëshiron t’i ofrosh produktet dhe si mund të jesh edhe ti pjesë e tyre?
Këto mund të zgjerohen edhe më tutje: çka nëse biznesi yt behet organizator i një ngjarjeje ose takimi? Çka nëse e krijon një strategji në të cilën, ti takon njerëz dhe i dëgjon kërkesat e tyre POR gjithashtu ju ofron atyre mundësinë për të kaluar mirë ose për të mësuar diçka të re?
Revista FORBES e thekson rëndësinë e përfshirjes në komunitet, si një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bësh për të marrë vëmendjes e atij komuniteti. Kjo sepse, në përgjithësi ne nuk mund të marrim nga të tjerët diçka pa dhënë të njëjtën në këmbim.

Dhe në fund, mbaje mend:
VEMENDJA, ajo që përkthehet në shitje pastaj, nuk pranohet pa u merituar. Kështu që, këto duhet të jenë pjesë e përditshme e strategjisë tënde të marketingut, përndryshe nuk do të japin rezultate. Ndonjëherë do të të duket se rezultatet nuk po shihen por nëse je konsistent në ato që bën, vëmendjen do e marrësh patjetër.