Aq shumë po flitet për kreativitetin sa duket se është shndërruar në fjalën kyçe të këtij shekulli. Llojet e ndryshme të bizneseve e kanë pjesë të domosdoshme veprimtarisë ashtu që të rritën. Bizneset prodhuese duhet të shkojnë edhe një hap më tutje – t’i kushtojnë rëndësi jo vetëm kreativitetit në produkt por edhe në paketim. Sidomos në dekadën e fundit, një paketim kreativ është bërë faktor esencial në suksesin e përgjithshëm të produktit.

Përderisa në një periudhë tjetër paketimi, në momentin që ka arritur ta dërgojë produktin deri tek klienti e ka përfunduar me sukses detyrën, sot një paketim ka shumë më shumë “detyra”. Me kohë, bizneset e kanë parë si rritën shitjet në momentin që kanë investuar në këtë pjesë dhe pak nga pak një industri e tërë është fokusuar në krijimin e diçkaje që transmeton mesazh dhe ndërton raporte. Sot, jemi dëshmitar të faktit se ditë pas ditë hasim në produkte që arrijnë të depërtojnë në treg lehtësisht dhe një pjesë të madhe të suksesit fillestar i atribuohet paketimit. Nëse ende nuk je bindur plotësisht për këtë, ja edhe 3 arsye tjera pse është shumë e rëndësishme t’i kushtosh kohë kësaj pjese.

1. Një paketim kreativ bën që produkti të promovohet më lehtë
Fokusohu tek produkti yt për disa sekonda ose tek një paketim që do e zgjidhje për produktin tënd. A mbahet mend lehtë? A dërgon mesazh? Njerëzit i mbajnë mend lehtësisht paketimet e veçanta dhe kur ato ndodhen në dyqan bashkë me produktet tjera, gjasat janë që t’i zgjedhin të parat. A ka ndonjë mënyrë për t’i shtuar pak nga kjo “magji” paketimit tënd? Si do të mund ta diferencoje nga produktet tjera, të llojit të njëjtë? Analizoje blerësin tënd bashkë me shprehitë e tij të blerjes. Çka është e rëndësishme për të? Mundohu të integrosh diçka nga kjo, kur e ideon paketimin. Mbaje mend: shumica nga ne, vendimet e blerjes i marrim shpejt dhe me intuitë.

2. Ngjyra e paketimit ndikon në shprehitë e blerjes
Një studim i publikuar në Qershor të vitit 2019 (The influence of colour and image on consumer purchase intentions of convenience food / University of Southampton, UK) dëshmon sa shumë lidhën shprehitë e blerjes me ngjyrën e paketimit, sidomos tek produktet ushqimore. Pjesa e parë e studimit përfshinte një pyetësor të plotësuar nga 200 persona në Kinë dhe në UK, ndërsa pjesa e dytë kishte biseda të drejtpërdrejta me njerëz në vende të ndryshme. Rezultati i studimit tregoi sa shumë vendime të blerjes merren vetëm duke u bazuar në ngjyrën e paketimit të produktit – sidomos tek produktet ushqimore. Studimi tregoi se, për shumicën absolute të njerëzve, një produkt që ka paketim me ngjyrë të kuqe është i shijshëm ndërsa një me ngjyrë të gjelbër është i shëndetshëm. Studimi gjithashtu tregoi se, shtimi i fotografive të duhura dhe imazheve tjera kur kombinohet me ngjyrën e duhur të paketimit, mund të ndryshojë plotësisht shprehitë e blerjes.
Për këdo që i takon kësaj industrie, e rekomandojmë ta lexojë të plotë këtë studim. Mund të gjendet online dhe jep përgjigje për shumë pyetje që mund të keni lidhur me zgjedhjen e ngjyrës së duhur për paketimin e produktit tuaj.

3. Një paketim i veçantë bie në sy i pari
Në dyqanet e mbushura me produkte të ngjashme, a e din cila është pjesa e parë (shumë herë përcaktuese e zgjedhjes): vëmendja! Produkti duhet të bie në sy ashtu që të përfundojë në shportë. Sipas “The Paper Worker” paketimi i veçantë ndikon në blerje, për 1/3 e klientëve. Kjo statistikë është mjaftueshëm sa për të dëshmuar se ja vlenë t’i kushtosh kohë realizimit më të mirë të mundshëm të idesë.

 Për fund:

Qëllimi yt është të jesh i DUKSHËM para secilit klient. Kjo bëhet duke i kushtuar kohë ndërtimit të secilit detaj të paketimit. Një paketim kreativ FLET me blerësit përmes mesazhit që bartë, ngjyrës që mbanë dhe veçantisë në raport me produktet tjera në dyqan. Ky zingjirë detajesh i realizuar siç duhet përkthehet pastaj në shitje.