Ja ku jemi përsëri: te pjesa e vitit e cila në njërën anë na bën të besojmë se mund të fillojmë nga e para me plot energji – në anën tjetër na bën të ndiejmë presion pikërisht për këtë fakt. Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë fillim vit, është se ne realisht sapo kemi hyrë në një dekadë të re. Një dekadë e cila veç ka filluar ndryshe nga ajo paraprake sa i përket rritjes së biznesit. Që nga mënyra e krijimit e deri tek promovimi dhe shitja – gjithëçka po ndryshon me shpejtësi marramendëse. Sot, kur e kemi lënë prapa një jave me pushime festash dhe jemi kthyer në rutinë, është e pamundur të mos ndalemi për të paktën disa minuta dhe të mendojmë për atë që synojmë të realizojmë gjatë këtij viti.
ÇKA DUAM TË ARRIJMË KËTË VIT?
Në vija të trasha, shumica e bizneseve i kanë synimet identike. Të gjithë e dimë se rritja e biznesit është ajo që synojmë. POR, dallimi mes atyre që ja dalin ta realizojnë këtë qëllim me ata që e përsërisin fjalinë e njëjtë vit pas viti, është:
Sa specifik jemi në synime?
A themi fjalë të llojit: “dua të rris biznesin…” si të ishte një bisedë e zakonshme mes miqsh APO i specifikojmë synimet (i ndajmë në hapa dhe periudha kohore, i caktojmë përgjegjësitë tona dhe të tjerëve që punojnë me ne)? Kjo e bën diferencën.

Pasi kemi punuar me qindra biznese vendore dhe ndërkombëtare, kemi arritur të mësojmë diçka të re nga secili. Ky është një proces që vazhdon çdo ditë dhe realisht kjo duhet të jetë pjesa më e mirë e punës në VIPRINT (dmth e dyta, pas entuziazmit në sytë e klientëve kur shohin produktet e finalizuara bashkë me efektet speciale të printimit).
Ja çka propozojmë ne:

1.RISHIKOJE PLANIN E BIZNESIT
Secili biznes fillon me një plan ose një ide. Gjatë rrugës ndodhin ndryshime. Fillimi i secilit biznes i ka vështirësitë e veta, aq sa ne shpesh fokusohemi shumë te synimet financiare dhe harrojmë të rishikojmë “pikturën e madhe” – arsyen e vërtetë pse ekziston biznesi ynë. Ky fillim-vit është koha ideale për të rishikuar planin, për të caktuar qëllimet dhe për t’i lidhur ato me format moderne të marketingut.  Bizneset e suksesshme i rishikojnë dhe i editojnë planet e biznesit vit pas viti. Kjo është koha ideale për t’i kushtuar vemendje ketij procesi dhe për të ndryshuar çkado që nuk funksionon më për qellimin tënd.

2.KUJDESU PER DETAJET
Në çfarë mënyre do te mund te veçoheshe nga konkurrenca? Shumë nga klientët që vinë në zyrat tona, zgjedhin të veçohen me paketimet e produkteve. Efektet e ndryshme speciale, llaku parcial, embos… janë vetëm disa nga mënyrat që ata zgjedhin ashtu që produkti i tyre të veçohet kur ndodhet në dyqane afër produkteve konkurrente. Disa zgjedhin forma të tjera të letrës së shtypur për tu afruar me klient, kuti të ndryshme shoqëruese ose detaje tjera.
Ti çka mund të bësh ashtu që të veçohesh? Nëse biznesi yt nuk përfshinë diçka nga produktet tona, jemi të bindur që ka një mënyrë për ta veçuar produktin/shërbimin tënd. Nga mënyra e promovimit tek bisedat që mund të hapen kur prezantohet produkti/shërbimi i biznesit tënd, ka gjithmonë një tjetër detaj me anë të të cilit mund të biesh në sy. Jepi kohën e duhur këtij procesi – shpaguhet.

3.KRIJO PËRMBAJTJE PËR KANALET ONLINE
Cila është historia jote? Nëse ajo që ti ofron është produkt: cila është rruga e prodhimit? Nëse ofron shërbim: cila është historia? Ndaji veçantitë me blerësit potencial. Prezantoje historinë e biznesit tënd ashtu që njerëzit të familjarizohen me të. Pas shërbimit të mirë dhe raportit të mirë me klient, që janë gjithmonë primare, edhe prezantimi i tyre në formën e duhur në kanalet online, ka rëndësi në biznesin e kësaj dekade. Kushtoju rëndësinë e duhur.

PËR FUND:
Nëse ende je në vitet e para, mos harro të ja rikujtosh vetës se suksesi edhe mund të vonohet. Krijimi i një brendi të qëndrueshëm ndonjëherë mund të marrë kohë më shumë seç e ke menduar në fillim. Perditësohu me mjetet e kohës, si në prodhim ashtu edhe në promovim. Detajet në organizim ndonjëherë e bëjnë të gjithë diferencën. Nuk ke ardhur deri këtu, mes kaq shumë vështirësisë që të ndalësh apo jo? Edhe pak ka mbetur… ky vit mund të jetë më i miri ne biznes dhe jetë.