Fundjavat janë për pushim, thonë dhe ne pajtohemi por jo plotësisht. Nga momenti kur sonte arrijmë në shtëpi (ta zëmë ora 6 e mbrëmjes) deri të Hënën kur zgjohemi për punë (ndoshta rreth orës 6 në mëngjes) janë saktësisht 60 orë. Nëse 60 orë i kalojmë vetëm në shtëpi, pa asnjë plan, atëherë gjasat janë që të lodhemi edhe nga pushimi. Ne besojmë se, me një organizim të mirë të kohës, secili nga ne mund ta kombinojë pushimin dhe produktivitetin gjatë kësaj fundjave… sidomos nëse je në fazë të rritjes në aspekt personal dhe profesional (e ne urojmë të jesh).

Ja disa këshilla se si ta realizosh këtë kombinim në mënyre të përkryer, gjatë kësaj fundjave:

BËJ NJË PLAN
Java ka qenë e lodhshme, e kuptojmë. Por pas një mbrëmje relaksuese dhe një gjumi të mirë, të duhet edhe një plan.
Çka është e rëndësishme për ty, në këtë periudhë të jetës?!
Cilin aspekt të jetës do të dëshiroje ta përmirësosh?
Ndoshta fëmijët kanë nevojë për kohë kualitative me ty dhe kjo do të të lumturonte ty më së shumti. Ndoshta ka një aftësi të cilën dëshiron ta përvetësosh sepse do të të ndikojë në rritjen e produktivitetit në punë. Një telefonatë ose takim që e ke lënë në harrim, tash e disa kohë. Një trajnim online…?
Secili nga ne e dimë se cila është ajo “diçka” që do të na mundojë gjatë ditëve të javës, nëse nuk e përfundojmë. Nëse nuk e bën një plan, gjasat janë që edhe kjo fundjave të kalojë si shumë të tjera. Të Premten në mbrëmje do e pyesësh vetën se ku shkoj koha dhe do të ndihesh pa energji për një tjetër javë të mbushur me të njëjtin stres dhe të njëjtën ngarkesë. Gjithçka fillon më një plan TË SHKRUAR. Vendos cilën pjesë të ditëve të fundjavës, mund të ja dedikosh asaj që ka rëndësi më shumë për ty. Organizoji 60 orë në mënyrë të duhur, shkruaji edhe detajet. Na beso, do të çuditesh me gjithçka që do të mund të përfundosh.

 MOS U NGARKO TEPËR!
Në rregull, tash që ke vendosur të bësh një plan dhe je i entuziazmuar me 60-orëshin plotësisht të lirë që ke përpara, gjasat janë që të të vijnë shumë gjëra në mendje. Një takim, një telefonatë, një shëtitje me familjen, një trajnim… të gjitha janë ide e mirë, por jo nëse i planifikon që të gjitha për këtë fundjavë. Nëse e ngarkon vetën tepër, mund të kthehesh shume shpejt tek rutina e vjetër – pasi do të dëshpërohesh me vetën ose thjeshte do të ndihesh i lodhur… dhe ti, ke nevojë për pushim!
Fillo me hapa të vegjël. Mendoje: çka do që realizon gjatë këtyre ditëve është bonus për ty. Nëse 2 orë ja kushton një aktiviteti, gjasat janë që fundjavën tjetër të ndihesh i motivuar të ja kushton 2 orë një aktiviteti tjetër. Në këtë mënyrë, kjo nuk do të të ndikojë në kualitetin e kohës që kalon me familjen (sepse do të kesh orë të tjera të lira, mjaftueshëm) ose në kualitetin e pushimit. Në momentin që këto detyrat e fundjavës nuk shihen si ngarkesë, do të mund ta kthesh në traditë edhe për fundjavat e tjera. Në fund të vitit, kur të arriturat do të mblidhen, do të ndihesh krenar për vetën.

PLANIFIKO JAVËN
A e di si thuhet: një qellim pa plan është thjeshtë dëshirë. Ose: kur dështon të planifikosh ti planifikon të dështosh!! Të dyja janë plotësisht të vërteta.
Një fundjave produktive dhe e qetë, patjetër duhet të përfshije edhe planin për javën e ardhshme. Themi PATJETËR sepse kjo është një nga gjërat që ne rekomandojmë gjithmonë. Nëse ndien se java që vjen do të të sjellë shumë stres për shkak të numrit të madh të detyrave që duhet të besh, atëherë gjasat janë që nuk do të mund ta shijosh as fundjavën. Ne propozojmë të ja kushtosh 1 orë (nga 60 orët e këtyre ditëve) organizimit të detajuar të javës tjetër, ashtu që të planifikosh detyrat dhe kohën tënde. Shkruaji ato, caktoji prioritetet. Kur të shikosh listën e detyrave bashkë me orët në dispozicion, ti do të lehtësohesh, sepse ajo do të të tregojë se: me një organizim të mirë të kohes, gjatë ditëve të punës mund të bësh shumë më shumë sesa ke menduar. Ky largim i stresit do të ndihmoj që ta shijosh fundjavën shumë më shumë.

Ja ku janë “sekretet” tona për një fundjavë fantastike.
Sepse, një fundjavë e tillë ka gjithmonë pak produktivitet. Në cilin drejtim?! atë pjesë e di secili për vete dhe ne propozojmë që ta percaktosh tani.
E rëndësishme është të fillojmë javën e parë të Nëntorit plot energji dhe kjo fundjavë është koha ideale për këtë përgatitje.