Lumturia përshkruhet ndryshe, nga secili prej nesh. Nëse i pyet 10 persona në këtë moment, në lidhje me atë se çka do t’i bënte ata plotësisht të lumtur, gjasat janë që do të marrësh 10 përgjigje të ndryshme. Por, kur lumturia përshkruhet nga njerëz që ne i konsiderojmë të suksesshëm në aspektin shpirtëror ose financiar, duket se përgjigjet i shikojmë me më shumë vëmendje.
Së fundmi, sytë i kemi kthyer kah përgjigja e Bill Gates. Në reddit, personi i dytë më i pasur në botë, është përgjigjur në dy pyetje që lidhen me lumturinë: “a je i lumtur?” dhe  “përtej të gjithave, çka të bën ty të lumtur ditë pas dite?”. Në pyetjen e parë, Gates është përgjigjur me një “PO” bindëse, ndërsa përgjigjen e pyetjes së dytë e ka lidhur me shëndetin, dashurinë dhe fëmijët. “Dikush së fundmi më tha se, është ndjenjë e veçantë kur fëmijët tu janë mirë dhe si prind pajtohem plotësisht. Lumturia gjithashtu lidhet me realizimin e zotimeve që ja bën vetës dhe me ushtrimet e përditshme”… dhe kur e mendon: personi i dytë më i lumtur në botë, te burimet kryesore të lumturisë nuk i vendosë paratë.

Remy Blumenfeld në artikullin e tij në FORBES, ka analizuar fjalët e Bill Gates dhe ka nxjerrë disa nga sekretet e lumturisë së tij. Përmes përgjigjes së tij dhe veprimeve që ai i bën ditë pas ditë (e që shihet qartë se e kanë përmbushur Gates), ai i ka formuluar 5 sekretet e lumturisë për të gjithë ne:

Analizo përvojën tënde si 20 vjeçar dhe bisedo me vetën e moshës 60 vjeçare
Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë për të fituar urtësi dhe për të qartësuar një çështje të së tashmes, sesa të bisedosh me vetën e një moshe më të vjetër. Vetja jote, në një moshë më të vjetër, veç ka fituar qetësi. Falë problemeve që i ke sot dhe zgjedhjeve që pret, ti e di se çka do të krijonte lumturi. Kështu që, kur je 15 minuta në qetësi, mendo mbylli sytë dhe përpiqu ta vizualizosh të ardhmen. Çka do të këshillonte ai person, lidhur me problemet e së tashmes?!

Mbaj premtimet që ja bën vetës
Asgjë nuk na falë më shumë kënaqësi sesa kur i realizojmë detyrat që ja kemi caktuar vetës. Përkushtimi na bën të ndihemi fitimtar, në fund të ditës dhe kjo përkthehet në paqe. Sipas të gjitha gjasave, Gates do t’i referohej këtij procesi si ‘besnikëri ndaj vetës’.  Siç e dimë, asnjë nga ne nuk e kontrollon rezultatin e të gjitha veprimeve dhe e vetmja gjë që mund ta kontrollojmë 100% janë veprimet tona. Nëse duhet të caktojmë më pak qëllime, deri sa ta fitojmë shprehinë e mbajtjes së tyre, atëherë është në rregull. E rëndësishme është t’i “dalim vetës në fjalë” sepse kjo na motivon pastaj drejtë detyrave edhe më të mëdha.

Dhuroju të tjerëve
Me 31 Dhjetor 2017,Fondacioni ‘Bill dhe Melinda Gates’ dhuruan 50.7 MILIARD dollarë. Edhe pse Bill nuk e përmendi bamirësinë në fjalitë me të cilat e përshkroi lumturinë, ky veprim tregon se një nga burimet kryesore të përmbushjes shpirtërore të tij është edhe ndihma ndaj të tjerëve. Secili nga ne mund të ndihmojmë në një formë ose një tjetër dhe kjo është një nga mënyrat e sigurta për të na bërë të ndiejmë gjithë mirësinë e botës brenda nesh.

Ushtro më shumë
Kthehemi përsëri te veprimet e Gates. Si lojtar tenisi ai e ka cekur disa herë sa shumë ndikon ai në përmirësimin e humorit të tij. Është edhe e vërtetuar se ushtrimet e luftojnë depresionin, pasi e rregullojnë funksionimin e trurit, gjumin, disponimin dhe rregullojnë dëshirën për ushqim. Ushtrimet e përditshme janë aktiviteti që na krijon ndjenjën e arritjes së një qëllimi, gjë që ndikon në lumturinë e përgjithshme.

Dashuria vjen e para
Kur Gates thotë: “kur fëmijët janë mirë, është ndjenjë e veçantë për mua si prind” tregon sa e rëndësishme është dashuria në gjithë “ekuacionin” e jetës.  Dihet tashmë se, një nga pendimet më të mëdha të atyre në shtratin e vdekjes është koha tepërt e kaluar larg atyre që i duan ose brenda ambienteve të zyrës (nga libri: 5 pendimet e atyre që ndodhën në shtratin e vdekjes – Bronnie Ware). Kështu që, herën tjetër që ke kohë pak më shumë, kujdesu ta rrethosh vetën me ata që të duan sinqerisht.

Nëse je duke menduar “lehtë e ka ky se nuk i ka problemet financiare në mendje” po ta rikujtojmë edhe njëherë se, siç po shihet: burimet kryesore të lumturisë nuk lidhen me miliona. Ka shumë mënyra për të krijuar qetësi shpirtërore, me ato që kemi, nëse i vlerësojmë mjaftueshëm. Gjithashtu, është e domosdoshme të rrethohemi me njerëzit e duhur. Të gjitha këto mund t’i mësojmë nga personi që i ka provuar të gjitha. Mjafton t’i besojmë dhe pastaj t’i praktikojmë.