Digjitalizimi po e përfshinë botën. Shumë njerëz (sidomos ata që nuk kanë mbledhur shumë informata) besojnë se digjitalizimi do të jetë e ardhmja e padiskutueshme në secilën sferë të jetës dhe kjo nënkupton se shumë industri do të shuhen. Madje, kur e thonë këtë, i referohen industrisë së printimit në fillim të listës.
Por, cila është e vërteta?
Tashmë kur shumë biznese po e marrin vetën nga humbjet e pandemisë, çka mund të themi për industrinë e printimit?
Cili është raporti me vlerat e viteve të kaluara?
Dhe, mbi të gjitha, cili do të jetë pozicioni i kësaj industrie në kohën kur po flitet se gjithçka e vlefshme do të jetë vetëm ‘online’?!
Për fillim, le ta themi të vërteten e madhe: industria e printimit po RRITET vazhdimisht.
Tregu global i printimit komercial, vlerësohej në 433 miliardë dollarë në vitin 2021 dhe parashikohet të jetë 485 miliardë dollarë deri në vitin 2027, sipas burimit www.businesswire.com.
Kur themi ‘printim komercial’ i referohemi shërbimeve të cilat përfshijnë shtypjen me shumicë së bashku me lidhjen, kompozimin, dizajnimin e faqosjes dhe prodhimet e tjera të kësaj natyre. Një printer komercial përdoret për të prodhuar libra, revista, etiketa, katalogë, broshura, materiale promovuese dhe manuale trajnimi, dhe shumë produkte të tjera.
Gjithashtu, rritja e kërkesës për materiale promocionale nga industria e shitjes me pakicë, industria e ushqimit dhe prodhimit të pijeve po mbizotëron tregun. Bizneset që e përcjellin ndryshimin e tregut dhe e kuptojnë atë, i përfshijnë gjithmonë format e ndryshme të reklamave të shtypura si pjesë e një strategjie të përgjithshme marketingut dhe shitjes. Tutje, një sondazh i fundit i ‘Adobe’ me 1250 konsumatorë amerikanë, nënvizoi problemin e vazhdueshëm me promovimet online. Sipas këtij sondazhi, sasia tepër e madhe e tyre, nga të gjitha platformat dhe bizneset e madhësive të ndryshme, bën që ato ta humbin efikasitetin shpesh dhe të mos arrijnë të tërheqin vëmendjen e njerëzve.
Këtu, normalisht, hyn më pas industria e printimit.
Është thelbësore të kuptohen statistikat dhe parashikimet e industrisë, ashtu që të këmi një pasqyrë të asaj se çka po ndodhë realisht:
25,000 kompani në botë janë të specializuara vetem në shtypin komercial.
Kjo informatë tregon mjaftueshëm për potencialin e kësaj industrie.
Opsionet e reja të shtypit që po shtohen vazhdimisht, po ju mundësojnë kompanive të printimit që t’u prezantojnë klientëve më shumë ‘rrugë’ komunikimi dhe shitje. Gjithashtu, një numër i madh i trendeve shoqërore po nxisin rritjen e përgjithshme të përdorimit të produkteve te printimit dixhital, raporton “Smithers”. Si rezultat, duke qenë se produkte dhe shërbime të reja po dalin në treg çdo vit, bizneset po e shohin se e vetmja mënyrë për të qëndruar në pozicionin e dëshiruar është përcjellja e trendeve të ndryshme të komunikimit me blerës, përmes paketimeve, produkteve promocionale dhe materialeve tjera të printuara.
Sipas www.smithers.com burimit që për afro 100 vjet ka siguruar të dhëna të sakta për klientët, “industria e printimit do të vazhdojë të zhvillohet dhe rritet, në përgjigje të faktorëve të shumtë ekonomikë, teknologjikë, demografikë dhe ekologjikë”.
Raporti i fundit i Smithers “E ardhmja e printimit digjital: Parashikimet strategjike afatgjata deri në vitin 2029” identifikon se si gjeneratat aktuale dhe të ardhshme, do të përfitojnë nga rritja e vazhdueshme e cilësisë në shtyp. Po i njëjti raport, parashikon që në vitin 2029 tregu global i printimit dixhital do të arrijë vlerën prej 225 miliardë dollarësh – që është rritje më shumë se 50% krahasuar me vitin 2014.
Pothuajse çdo industri është përballur me sfida të reja që nga pandemia dhe bllokimet që ndodhën në vitin 2020 – industria e printimit nuk bëri përjashtim. Por, siç është rasti me çdo industri që dëshiron të mbijetojë përderisa bota zhvillohet, industria e printimit gjithashtu ka evoluar krahas të gjitha sfidave dhe sot jo vetëm që është relevante por parashihet rritje e vazhdueshme.