Si rezultat i ndryshimeve të mëdha që ndodhin në industrinë e letrës, shumë kompani printimi po përballen me vështirësi. Mungesa e madhe e letrës dhe rritja e çmimit, po ndikojnë që kompanitë e industrisë së printimit kudo në botë të mos arrijë t’i plotësojë kërkesat e klientëve në kohën që dëshirojnë dhe me çmimet që deri vitin e kaluar kanë qene në treg. Kjo është një kthesë e papritur për shumë kompani që janë përpjekur për vite të tëra të rriten dhe t’i rrisin porositë e klientëve, pa e menduar se ekziston mundësia që një problem si ky të dalë në sipërfaqe.
Sipas ‘The target report’ në artikullin e botuar më pak se një muaj më parë, koha kur furnizimi me letër nuk ka qenë as çështje diskutimi për fat të keq ka përfunduar. Sot, pronaret dhe përfaqësuesit e bizneseve në industrinë e paketimeve, kalojnë një pjesë të madhe të ditës vetëm duke hulumtuar tregun për të gjetur letër dhe për t’i përmbushur nevojat e klientëve të tyre.
Gjithmonë sipas ‘The target report’ mungesa e madhe e sasisë së letrës i ka shkaktuar më së shumti probleme industrisë së printimit. Në një kohë kur pothuajse çdo produkt ka nevojë për letër, rritja e çmimit të saj po ndikon në marrëdhëniet biznes-klient. Klientët e frustruar nuk po arrijnë të pranojnë ndryshimet kaq të mëdha të çmimit dhe vonesat, ndërsa kompanitë që e kane letrën si produkt bazë nuk kanë asgjë në dorë për të ndryshuar trendin e rritjes së çmimeve ose mungesat.
Për të përkeqësuar edhe më shume problemin, burimet e prodhimit të letrës po zvogëlohen. Në një lajm që ka dalë në Maj të këtij viti, një nga prodhuesit më të madh të letrës në botë, DOMTAR, tashmë është shitur për 3 miliardë dollar. Kjo kompani është në proces të transferimit dhe shumë shpejt do të kalojë nga prodhimi i letrës në kompani për prodhimin e kontejnerëve. I gjithë ky ndryshim do të finalizohet brenda këtij viti dhe si rezultat industrisë së printimit do ti “shterrojë” një nga burimet më të rëndësishme të furnizimit me lenden e parë.
Një tjetër goditje, me gjasë me e madhja në këtë industri, do të jetë shitja e asaj që ka mbetur nga kompania suedeze e prodhimit të letrës ‘VERSO’. Parashihet që ndikimi që do të këtë ky transaksion, do ta prekë industrinë e printimit për hiç më pak se 7 vitet e ardhshme. Kjo sepse, kompania e re ‘BillerudKorsnäs’ planifikon ta shndërrojë ¾ e kapacitetit prodhues në prodhim të paketimeve për aplikacione të ndryshme.
Të gjitha këto ndryshime që kanë ndodhur brenda këtij viti kanë hapur një ‘trend’ të ri zhvillimesh. Pak nga pak, industria e printimit duhet të adaptohet në mënyrën e re të funksionimit ndërsa bizneset duhet të jenë të përgatitura për ndryshime të reja – të cilat pak kush mund t’i parashikojë.
Deri tash, vonesat në finalizim të produkteve dhe rritja e çmimeve kanë bërë që shumë klient të jenë të frustruar.
Çka do të vijë më vonë: nuk e dimë ende.
Le të shpresojmë për lajme të mira.