Tashmë e dimë: krijimi i një brendi të suksesshëm është një nga gjërat më me vlerë për secilën kompani. Statistikat tregojnë se numri më i madh i njerëzve zgjedhin të blejnë produkte nga kompanitë me të cilat janë të familjarizuar në çfarëdo forme.
Nëse produkti/shërbimi yt është në treg dhe konkurrent me produkte të kompanive gjigante, atyre që shpenzojnë buxhet shumë të madh në marketing dhe promovim, shitjen (nëse nuk ke strategji konkrete) do e kesh të vështirë. Ne propozojmë të krijosh brend së pari dhe kjo përfshinë shumë më shumë se veç krijimin e llogos.

 

Çka është një BREND?
Është mënyra si biznesi yt perceptohet nga bota. Është praktikë e marketingut në të cilën një kompani krijon emër, simbole dhe dizajn unik ashtu që të identifikohet lehtësisht nga klientët. Brendimi është i rëndësishëm sepse, jo vetëm krijon përshtypje të paharruar tek klientët por gjithashtu edhe të veçon ty nga konkurrenca duke qartësuar se çka nga ajo që ti ofron është më e mirë se cilido opsion tjetër në treg. Brendi ndërtohet pak nga pak, si hartë që tregon pozicionin tënd si biznes dhe pozitën që do e zësh aty ku operon.

Shumica e ngatërrojnë brendimin me krijimin e llogos dhe simboleve tjera identifikuese. Është e rëndësishme ta kuptojmë se këto paraqesin vetëm një aspekt të këtij procesi. Përmes brendimit lidhen shumë elemente dhe krijohet reputacioni i një biznesi. Suksesi lidhet drejtpërdrejtë me mënyrën si të gjitha këto elemente funksionojnë së bashku.

 

Si të krijojmë një brend të suksesshëm?

Para se të fillojmë me realizimin e qëllimeve, duhet t’i caktojmë qartë ato. Kur përqendrohesh tek krijimi i një brendi, duhet t’i analizosh këto pika:
-Si do të dallohesh nga konkurrenca?
-Në çfarë mënyre do të biesh në sy?
-Si do të krijosh kontakte të reja?
-Si do të ndërtosh raporte me klientët e ri?

Pasi të jesh shumë e qartë me këto përgjigje, duhet të shkosh pak më thellë në këtë proces. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të definosh:
-Si do të fillosh të ndërtosh brendin tënd?
-Çka do të bësh ashtu që ta forcosh ditë pas dite?
Normalisht, të pasurit e këtyre gjërave në mendje e qartëson rrugën për kah do të shkosh. POR, ti duhet të fokusohesh ekskluzivisht tek blerësi i produktit/shërbimit tënd, ndaj ne propozojmë 3 hapa që duhet t’i bësh ashtu që të fillosh mbarë në këtë aspekt:

1. DEFINO AUDIENCËN
Kush janë njerëzit që kanë nevojë për produktin/shërbimin tënd?
Në kohën në të cilën po jetojmë, për këtë pyetje, përgjigja e llojit “Gra dhe vajza” nuk mjafton. Ajo që ty të duhet është:
“Gra dhe vajza, mosha 25-30 vjeç, të interesuar për rritjen e flokëve, pa punë…”
Detaje. Ty të duhen detaje. Të duhet targetim preciz ashtu që të njohësh SAKT njerëzit me të cilët flet përmes simboleve, marketingut dhe dizajnit. Specifikat janë çelësi. Çfarë gjuhe flasin njerëzit të cilëve ti dëshiron të ju biesh në sy? Kur janë online? Çfarë problemesh kanë? Cilat janë shqetësimet e përditshme? A kanë kohë të lirë? Nëse po/jo si mund ta lidhësh produktin tënd me këtë përgjigje…?
Mundësitë janë të mëdha. E rëndësishme është ta kuptosh se ti po flet me një segment të caktuar të audiencës dhe duhet t’i njohësh deri në detaje.

2.PËRCAKTO PIKAT E FORTA
Cila ka qenë arsyeja kryesore e krijimit të produktit tënd? Kur e njeh blerësin dhe zgjidhjen që dëshiron të ja ofrosh, ti duhet ta lidhësh promovimin e produktit me atë që ty të bën të veçantë. Për shembull: produkti yt është për gra dhe vajza të moshës së re, me buxhet të vogël dhe pika jote e fortë mund të jetë çmimi. Normalisht, duhet të ceket çmimi i ulët (krahasuar me konkurrencën) për kualitet të lartë. DMTH ti fokusohesh tek ajo që të dallon. Kur kjo kombinohet me ato që i cekëm më herët (njohja e audiencës deri në detaje) ndikimi është shumë i fuqishëm.

3.KOMUNIKO
Sot më shumë se kurrë ka mënyra për të ditur mendimin e konsumatorëve për produktin/shërbimin që ja u kemi ofruar. Mos harro t’i kushtosh rëndësinë e duhur kësaj pjese. Prej pyetësorëve, rrjeteve sociale dhe webfaqës e deri tek format tradicionale të komunikimit, mundësitë janë që: nëse jemi të interesuar të dimë se sa kemi arritur të hyjmë në zemrat e atyre që na kanë besuar fillimisht, do e bëjmë.
E gjitha që duhet është të rrime në kontakt të vazhdueshëm me blerësin ashtu që të përmirësohemi ditë pas dite, jo vetëm në kualitetin e produktit por gjithashtu edhe në mënyrën si përceptohemi dhe ndikimin që e kemi përmes simboleve ose dizajnit.

 

Fokusohu tek rritja dhe ndryshimi. Prano këshillat dhe kritikat. Njerëzit duhet ta dinë se ti po interesohesh sinqerisht për problemet e tyre dhe saktësisht këtë duhet ta bësh.
Sot, më shumë se kurrë, blihet ideja për jetë më të mirë – më shumë se produkti.  Shto dashuri në atë që bën, bëhu i dukshëm, qëndro ditë pas ditë mes njerëzve dhe historia e suksesit të brendit tënd do të tregohen një ditë.